RREGULLORE MBI ZGJEDHJET NË AAK
PRISHTINË 2008
Duke u mbështetur në Nenin 13, pika 3. e Statutit të AAK-së, Kryesia e AAK-së nxjerrë këtë:
RREGULLORE PËR KUVENDET ZGJEDHORE NË AAK
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
NENI 1
Kjo rregullore i përcakton procedurat e zgjedhjes së delegatëve të AAK-së në kuvendet dhe strukturat udhëheqëse partiake në të gjitha nivelet.
KREU I
ORGANET DREJTUESE TË KUVENDIT
NENI 2
Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së.
THIRRJA E KUVENDIT
NENI 3
Kuvendin e Rregullt Zgjedhor e thërret Kryetari i Partisë (njëjtë edhe në nivelet tjera të organizimit të AAK-së). Për mbajtjen e Kuvendit Qendror dhe rendin e ditës, delegatët lajmërohen së paku një muaj më herët, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me Statutin e AAK-së.
HAPJA E KUVENDIT
NENI 4
- Sekretarin e Kuvendit të AAK-së e zgjedh Kryesia e AAK-së me propozim të Kryetarit të AAK-së (njëjtë në çdo nivel të organizimit të AAK-së; degë dhe nëndegë);
- Hapjen e Kuvendit e bën Kryetari i AAK-së.
SEKRETARI I KUVENDIT
NENI 5
- Sekretari i Kuvendit është përgjegjës për mbarëvajtjen e procedurës administrative dhe teknike në Kuvend, arkivimin e dokumentacionit dhe të proceseve të mbajtura gjatë punës së Kuvendit;
- Ai duhet të jetë njohës i mirë i statutit të AAK-së;
- Sekretari i Kuvendit mbikëqyrë punën e Sekretarisë së Kuvendit dhe është përgjegjës për punën e saj;
- Puna e Sekretarisë së Kuvendit përfundon me mbylljen e punimeve të Kuvendit.
- Sekretari i Kuvendit ia dorëzon të gjitha materialet Kryetarit të zgjedhur në Kuvend brenda katër orëve pas mbarimit të punës së Kuvendit;
KRYESIA E PUNËS
NENI 6
- Kryesia e punës ka 5 anëtarë, prej të cilëve 3 anëtarë propozohen nga Kryesia e AAK-së, kurse 2 prej tyre nga Kuvendi;
- Kryesuesi i Kryesisë se Punës së Kuvendit propozohet nga Kryesia e AAK-së (në çdo nivel të organizimit të AAK-së) ndërsa Kuvendi voton me aklamacion;
- Kryesia e Punës e udhëheqë Kuvendin dhe kujdeset për mbarëvajtjen e tij.
KOMISIONET
NENI 7
- Pasi Kryesia e Punës të këtë marrë mandatin, Kuvendi zgjedh Komisionin Verifikues dhe Komisionin e Votimit;
- Anëtarët e këtyre komisioneve nuk mund të jenë kandidatë për vendet udhëheqëse të AAK-së;
- Më shumë se një anëtar i Komisioneve nuk mund të vijnë nga një degë gjegjësisht nëndegë.
KOMISIONI VERIFIKUES
NENI 8
- Në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së, Komisioni Verifikues përkujdeset për ligjshmërinë e procesit të votimit;
- Komisioni Verifikues për çdo 50 delegatë duhet të ketë 1 anëtarë. Komisioni nuk mund të ketë më pak se 3 anëtarë edhe kur nëndegët apo degët e AAK-së kanë më pak se 50 delegatë;
- Kryetarin/ren e Komisionit e propozon Kryesia (në çdo nivel të organizimit të AAK-së), për të cilin/cilën Kuvendi voton me aklamacion;
- Dy të tretat e anëtarëve të Komisionit Verifikues zgjedhen nga Kryesia e AAK-së (në të njëjtën mënyrë edhe në nivele të tjera të organizimit të AAK-së), ndërsa pjesa tjetër zgjidhet nga Kuvendi;
- Komisioni Verifikues nuk mund të ketë më pak se 3 anëtarë edhe kur nëndegët apo degët e AAK-së kanë më pak se 50 delegatë;
- Komisioni Verifikues verifikon ekzistimin e kuorumit në Kuvend dhe shpall numrin e delegatëve pjesëmarrës në Kuvend;
- Komisioni verifikon shpërndarjen e materialeve për delegatet në Kuvend;
- Komisioni verifikon ligjshmërinë e votimit;
- Mandati i tij mbaron me përfundim e Kuvendit;
- Shkeljen apo manipulimin gjatë votimit e vërteton Komisioni Verifikues i Kuvendit, duke votuar me 50+1% të anëtarëve të tij.
KOMISIONI I VOTIMIT
NENI 9
- Në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së, Komisioni i Votimit mbikëqyrë ligjshmërinë e votimit dhe numëron fletëvotimet;
- Dy të tretat e anëtarëve të Komisionit të Votimit propozohen nga Kryesia e AAK-së, të cilët votohen me aklamacion (njëjtë edhe në nivele tjera të organizimit të AAK-së), ndërsa pjesa tjetër zgjedhet nga Kuvendi;
- Kryetarin/ren e Komisionit e propozon Kryesia (në çdo nivel të organizimit të AAK-së), për të cilin/cilën Kuvendi voton me aklamacion;
- Në rast se Komisioni për Votim gjen parregullsi gjatë votimit, ai i sugjeron Kryesisë së Punës së Kuvendit anulimin e pjesëshëm apo të plotë të tij, ia propozon përsëritjen e procedurës së votimit dhe me vendimin e vet e njofton Komisionin Statutar;
- Mandati i komisionit zgjatë deri në përfundim të Kuvendit;
- Komisioni i Votimit për çdo 50 delegatë duhet të ketë nga 2 anëtarë të komisionit.
- Komisioni nuk mund të ketë më pak se 3 anëtarë edhe kur nëndegët apo degët e AAK-së kanë më pak se 50 delegatë;
- Komisioni i votimit paraqet rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve;
- Në rast se një zyrtar i Komisionit të Votimit vërtetohet se ka bërë shkelje të procedurës së numërimit apo ka manipuluar me fletëvotimet, të gjitha fletëvotimet e numëruara nga ai/ajo numërohen nga fillimi. Personi i cili e ka bërë ketë shkelje largohet nga Kuvendi.
KREU II
PROCEDURAT E KANDIDIMIT PËR DELEGATË TË KUVENDIT DHE ZYRTARË PARTIAKË
KUVENDI I NËNDEGËS
NENI 10
- Kuvendin e Nëndegës e përbëjnë të gjithë anëtarët e AAK-se në territorin e nëndegës;
- Kuvendi i Nëndegës zgjedhë 2 delegatë në Kuvendin e Degës;
- Nëndegët që kanë më shumë se 50 anëtarë pjesëmarrës në Kuvend zgjedhin edhe një (1) delegat; nëndegët që kanë më shumë se 75 anëtarë pjesëmarrës në Kuvend zgjedhin edhe një (1) delegat tjetër; nëndegët që kanë më shumë se 100 anëtarë pjesëmarrës ne Kuvend zgjedhin edhe një (1) delegat për Kuvendin e Degës;
- Kuvendi i Nëndegës zgjedhë Kryetarin e Nëndegës. Pas zgjedhjes, Kryetari i zgjedhur ia propozon Kuvendit anëtarët e Kryesisë së Nëndegës;
- Brenda pesë ditëve, Kryesia e zgjedhur e Nëndegës e njofton me shkrim Degën për rezultatet e punës të Kuvendit.
KUVENDI DEGËS
NENI 11
Në Kuvendin e Degës marrin pjesë delegatët e zgjedhur në Kuvendet e nëndegëve:
- Për numrin e delegatëve në Kuvendin e Degës vendosë Kryesia e Degës, sipas kritereve të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren mbi Zgjedhjet të AAK-së;
- Anëtarët e Kryesisë aktuale janë delegatë të Kuvendit;
- ARK dhe AGK nga Kuvendet e tyre zgjedhin nga 10 përfaqësues në Kuvendin e Degës;
- Kryesia e zgjedhur e Degës duhet t’i raportojë me shkrim Kryesisë së AAK-së, brenda pesë ditëve, për rezultatet e punës së Kuvendit.
KUVENDI I AAK-së
NENI 12
Numri i delegatëve që e përfaqësojnë Degën në Kuvendin e AAK-së caktohet në bazë të kritereve të përcaktuara me Statutin e AAK-së:
- Kuvendin e përbejnë të gjithë delegatët e degëve, të zgjedhur në kuvendet e degëve dhe delegatët tjerë, të përcaktuar në bazë të Statutit të AAK-së.
Numrin e delegatëve për çdo Kuvend të AAK-së e cakton Kryesia e AAK-së, në pajtim me Statutin e AAK-së dhe me këtë Rregullore.
- Delegimi për Kuvendin e Qendror të AAK-së bëhet në bazë të këtyre kritereve:
- Çdo degë delegon nga 2 delegatë në Kuvendin e AAK-së;
- Dega, në territorin e së cilës ka mbi 100.000 banorë, delegon dhe 1 delegat më tepër (2+1);
- Delegatët në Kuvend janë: deputetët e AAK-së, ministrat dhe zv/ministrat nga radhët e AAK-së, anëtarët e kryesisë aktuale, të cilët nuk delegohen në Kuvend në bazë të ndonjë kriteri tjetër të paraparë me këtë Statut si dhe dhjetë delegatë të propozuar nga Kryesia e AAK-së;
- AGK dhe ARK delegojnë nga 20 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e tyre përkatëse;
- Degët nga diaspora delegojnë 20 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e tyre, të ndarë proporcionalisht në bazë të anëtarëve të AAK-së në mërgatë;
- Delegatët e zgjedhur sipas paragrafëve 2-a, b, c, d dhe e të këtij Neni, përbëjnë 50% të numrit të përgjithshëm të delegatëve të Kuvendit;
- 50% të delegatëve i zgjedhin degët në Kuvendet e tyre, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet e fundit parlamentare;
- Numrin e saktë të delegatëve, për çdo degë nga 50%, sipas pikës 2-g, e cakton Kryesia e AAK.
- Plotësime në kriterin e zgjedhjes së delegatëve për Kuvend mund të bëjë Kryesia e AAK-së, në bazë të interesit të përgjithshëm të partisë;
- Në të gjitha Kuvendet e AAK-së mund të marrin pjesë edhe anëtarë të AAK-së që nuk janë delegatë, në cilësinë e vëzhguesit. Pjesëmarrja në Kuvend, në cilësinë e vëzhguesit duhet të lajmërohet te Sekretari i Kuvendit, së paku një muaj para mbajtjes së Kuvendit.
- Mbledhjet e Kuvendit janë të hapura për mjetet e informimit, përpos në rastet kur Kryesia e Punës e Kuvendit vendosë ndryshe;
- Pjesëmarrja e mjeteve të informimit në Kuvend duhet të konfirmohet së paku tri ditë para mbajtjes së Kuvendit.
KANDIDIMI PËR KRYETAR DHE PËR KËSHILL DREJTUES
NENI 13
- Zgjedhja e Kryetarit të AAK-së bëhet mbi bazat e parimit të konkurrencës së lirë;
- Çdo delegat në Kuvend mund të propozojë apo të propozohet për kandidat për Kryetar të AAK-së (në çdo nivel të organizimit të AAK-së);
- Kandidati i cili fiton 50%+1 të votave të delegatëve në Kuvend zgjedhet Kryetar i AAK-së;
- Në rast se ka më tepër se 2 kandidatura dhe asnjë nga kandidatët nuk fiton 50%+1 të votave të delegatëve në kuvend, 2 kandidatët që kanë fituar më së shumti vota e vazhdojnë garën për zgjedhje në një raund tjetër votimi;
- Lista përfundimtare e kandidaturave për Këshillin Drejtues nuk mund ta tejkalojë dyfishin e numrit të anëtarëve të Këshillit Drejtues që zgjedhen në Kuvend (në të gjitha nivelet e organizimit, në përputhje me Statutin e AAK-së);
- Lista e propozimeve për anëtarë të Këshillit Drejtues hartohet në këtë mënyrë:
- Lista fillestare e propozimeve hartohet nga Kryesia e AAK-së (njëjtë në të gjitha nivelet e organizimit të AAK-së). Kjo listë nuk mund ta tejkalojë numrin e paraparë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të përcaktuar me Statutin e AAK-së;
- Listës së Kryesisë i shtohen propozimet nga degët (në nivel dege propozimet bëhen nga nëndegët) dhe ato jo më shumë se një propozim nga çdo degë.
- Në rast se lista e propozuar e kandidatëve për Këshill Drejtues nuk plotësohet, atëherë degët që kanë më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, e kanë të drejtën e propozimeve shtesë deri sa të plotësohet lista përfundimtare, konform pikës 3 të këtij neni.
- Fituesit e numrit më të madh të votave zgjedhen anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues, duke e respektuar kuotën prej 30% të kandidateve nga gjinia femërore;
- Në rast se Këshilli Drejtues i zgjedhur nuk e plotëson kuotën sipas Nenit 13 pika 7, atëherë Këshillit Drejtues i shtohet numri i anëtarëve të gjinisë femërore sipas renditjes së rezultateve zgjedhore nga lista propozuese.
KREU III
PROCEDURAT E VOTIMIT
E DREJTA E VOTIMIT
NENI 14
- Vetëm anëtarët e pranishëm të Kuvendit kanë të drejtë votimi;
- Secili anëtar i Kuvendit ka të drejtë votimi vetëm njëherë për një çështje në rend dite.
MËNYRA E VOTIMIT
NENI 15
- Votimi është i fshehtë dhe bëhet në pajtim me parimet e Statutit të AAK-së;
- Votimi bëhet me vota të fshehta për zgjedhjen e organeve udhëheqëse, në cilindo nivel të organizimit të AAK-së, ndërsa për Kryesinë e Punës dhe komisionet, votimi bëhet me aklamacion;
- Udhëzuesi për votim në Kuvend bëhet me anë të prezentimit me projektor para fillimit të votimit;
- Shpalljen e rezultateve e bën Komisioni Votues.
RADHITJA E KANDIDATËVE NË FLETËVOTIM
NENI 16
Radhitja e kandidatëve në fletëvotim për kryetar të AAK-së si dhe për anëtarë të Këshillit Drejtues bëhet në radhitjen që përcakton emri dhe mbiemri i kandidatit sipas rendit alfabetik: A-B-C, etj.
FLETËVOTIMET DHE PROCEDURAT E VOTIMIT
NENI 17
- Një delegat mund të ketë vetëm një fletëvotim;
- Fletëvotimet duhet t’u shpërndahen të gjitha delegatëve ditën e votimit.
NENI 19
Delegatët nuk mund të votojnë me pak se 1/3 e anëtarëve dhe jo më shumë se maksimumin i numrit të anëtarëve të Këshillit Drejtues nga kandidatët në listën zgjedhore (p.sh. në nivel qendror nuk mund të votohen më pak se 20 e jo më shumë se 60 kandidatë). Ky numër për nivelet e organizimit të AAK-së është i përcaktuar sipas Statutit të AAK-së.
NENI 20
- Delegati kur voton për Këshillin Drejtues, duhet ta shënojë numrin përfundimtar të kandidatëve të votuar në rubrikën e shënuar në fund të fletëvotimit;
- Të gjitha fletëvotimet duhet të tërhiqen personalisht nga delegatët dhe të vendosen personalisht në kutinë e votimit.
NENI 21
- Delegati i Kuvendit nuk ka të drejtë të ndërhyjnë në votimin e delegatit tjetër. Rastet e shkeljeve të këtilla rregullohen sipas Kreut V të kësaj rregulloreje;
- Në Kuvend do të ketë vendvotime të fshehta, në të cilat votuesit mund të votojnë.
KREU IV
NUMËRIMI DHE VERIFIKIMI
PROCESI I NUMËRIMIT
NENI 22
Pas përfundimit të votimit, kutitë e votimit do të hapen, dhe në mënyrë transparente fillon procesi i numërimit dhe verifikimit të votave, së pari për postin e kryetarit të AAK-së, e pastaj për anëtarë të Këshillit Drejtues, në të njëjtën mënyrë të numërimit;
Numërimi do të bëhet nga ekipet e përbëra nga pesë anëtarë (përveç nëse numri i anëtareve të Komisionit është tre), prej të cilëve katër janë nga Komisioni i Votimit dhe dy nga Komisioni Verifikues.
Dy anëtarë të Komisionit të Votimit janë numërues dhe dy janë lexues, ndërsa anëtarët të Komisionit Verifikues e mbikëqyrin procesin.
Procesin e votimit mund ta përcjellin edhe vëzhguesit e jashtëm. Vëzhguesit e jashtëm bëjnë kërkesë te Kryesia e AAK-se shtatë ditë para mbajtjes së Kuvendit.
Kuvendi i ri zgjedh edhe një numër prej 25 vëzhguesve, të cilët e vëzhgojnë procesin e votimit dhe të numërimit.
Në rast se këta vëzhgues vërejnë parregullsi, e lajmërojnë Sekretarin e Kuvendit dhe Kryesinë e Punës.
Numërimi përmban katër hapat vijuese:
- Shpërndarja e fletëvotimeve: Ekipeve iu shpërndahet numri i njëjtë i fletëvotimeve;
- Verifikimi: Komisioni Votues e verifikon vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e secilit fletëvotim. Të gjitha fletëvotimet e numëruara duhet të nënshkruhen nga anëtaret e Komisionit Votues, të cilët janë të ngarkuar me numërimin e atyre fletëvotimeve;
- Pavlefshmëria: Fletëvotimet do të jenë të pavlefshme nëse janë të paqarta, p.sh. në rastet kur së bashku rrumbullakësohen dy numra dhe është e paqartë se cili numër është rrumbullakësuar saktësisht, ose nëse numri i përgjithshëm në fund të fletëvotimit nuk përputhet me numrin aktual të kandidatëve të rrumbullakësuar;
- Leximi dhe numërimi: Lexuesi ia lexon numëruesit votat nga fletëvotimi, dhe e shkruan numrin e përgjithshëm të votave që janë të shënuara në fund të fletëvotimit. Numëruesi e shënon numrin e votave të lexuara në fletënumërim.
- Nëse gjatë numërimit ndonjëri nga kandidatët kanë më tepër vota dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme në fletënumërim, atëherë duhet drejtuar Sekretarisë së Kuvendit për fletënumërim shtesë.
- Totali: Numëruesit e llogarisin totalin e votave veç e veç për secilin kandidat dhe totalin e votave të fituara të të gjithë kandidateve. Kurse lexuesit e llogarisin totalin e votave të përgjithshme të shënuara në fund të fletëvotimit. Nëse totalet përfundimtare nuk përputhen, atëherë verifikuesi duhet t’iu bashkohet anëtarëve në kontrollimin e llogaritjeve;
- Verifikuesit duhet të sigurojnë që gabimet të evitohen dhe të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen;
- Procesi i numërimit të votave dhe verifikimit të tyre bëhet pa ndërprerje;
Në rast se rezultatet e votimit për Këshillin Drejtues janë të barabarta për disa kandidatë, votimin përfundimtar e bën Këshilli Drejtues i ri;
Në këtë rast, mbledhjen e Këshillit Drejtues e thërret dhe e drejton Kryesia e Punës së Kuvendit. Në këtë mbledhje të Këshillit Drejtues marrin pjesë edhe kandidatet potencialë për poste, të cilët e kanë numrin e barabartë të votave;
Vëzhgimin dhe numërimin e votave e bëjnë komisionet pjesëmarrëse në Kuvend Zgjedhor. Mbledhja e Këshillit Drejtues mbahet jo me vonë se shtatë ditë pas mbajtjes se Kuvendit Zgjedhor.
KREU V
ZGJIDHJA E KONFLIKTEVE
E DREJTA E USHTRIMIT TË ANKESËS
NENI 23
Në rast të shkeljes apo mosrespektimit të kësaj rregulloreje për të gjitha nivelet e proceseve zgjedhore, nga Nëndega, Dega, Kuvendi i AAK-së, anëtarët e kuvendeve kanë të drejtë t’i ushtrojnë ankesë Komisionit Statutar të AAK-së në afatin kohor prej 5 ditëve.
Në rast se Komisioni Statutar i AAK-së vërteton shkeljet e mundshme të Statutit të AAK-së dhe të Rregullores mbi Zgjedhjet në AAK, ia propozon Kryetarit dhe Këshillit Drejtues masat që duhet të ndërmerren konform dispozitave të Statutit të AAK-së.
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
NENI 24
- Kryesia e AAK-së mund të nxjerrë akte të tjera normative në funksion të zbatimit të Kësaj Rregulloreje;
- Kjo rregullore, pas aprovimit nga Kryesia e AAK-së, hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga kryetari i AAK-së.
U miratua nga Kryesia dhe Këshilli Drejtues i AAK-së më 11 shtator 2008.